Tragjedi në Kosovë – Zjarri në një banesë në Malishevë merr jetën e babait dhe dy fëmijëve

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kosovën këtë të mërkurë, ku tre persona – një burrë dhe dy fëmijë – kanë humbur jetën pas një zjarri që përfshiu banesën e tyre në qytetin e Malishevë.

Sipas informacioneve paraprake, viktimat janë një 35-vjeçar dhe dy fëmijët e tij të mitur, të moshës 9 dhe 12 vjeç. Dyshohet se ata kanë ndërruar jetë si pasojë e asfiksisë nga tymi i shkaktuar nga flakët që përfshinë ambientet e banesës.

Policia e Kosovës bëri me dije se rreth orës 12:55 ka marrë njoftim për një zjarr në një banesë në lagjen “Mirëdita”. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente.

Tre personat u nxorën nga banesa dhe u transportuan drejt Qendrës së Mjekësisë Familjare, por fatkeqësisht mjekët konstatuan se ata nuk kishin më shenja jete.

Zjarri është vënë nën kontroll, ndërsa autoritetet konfirmojnë se nuk ka persona të tjerë të lënduar nga kjo ngjarje tragjike.

Zëdhënësi i policisë, Sheremet Elezaj, deklaroi se për rastin është njoftuar prokurori i shtetit dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e zjarrit.

Sipas dyshimeve të para, bëhet fjalë për një aksident, ndërsa ekspertët pritet të përcaktojnë shkakun e saktë të shpërthimit të flakëve.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitetin lokal, ndërsa pritet që në orët dhe ditët në vijim të dalin detaje të reja mbi këtë tragjedi familjare.