Alarm global për ekonominë – 11 shtete paralajmërojnë pasoja të rënda nga lufta në Lindjen e Mesme

Një grup prej 11 shtetesh të fuqishme ekonomike ka lëshuar një deklaratë të përbashkët alarmuese mbi pasojat e konfliktit në Lindja e Mesme, duke paralajmëruar ndikime serioze në ekonominë globale, inflacion dhe tregjet financiare.

Ministrat e financave nga vende si Britania e Madhe, Japonia dhe Australia, së bashku me shtete të tjera europiane dhe ndërkombëtare, theksuan nevojën urgjente për një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme të konfliktit përmes negociatave.

Në deklaratë u mirëprit armëpushimi aktual, duke u cilësuar si thelbësor për mbrojtjen e civilëve dhe stabilitetin rajonal, ndërsa u paralajmërua se çdo përshkallëzim i mëtejshëm i tensioneve ose ndërprerje në Ngushticën e Hormuzit mund të sjellë pasoja të rënda për sigurinë energjetike dhe zinxhirët globalë të furnizimit.

Shtetet nënshkruese – përfshirë Spanjën, Holandën, Suedinë, Norvegjinë dhe të tjera – theksuan se edhe në rast të një zgjidhjeje të konfliktit, efektet negative në ekonomi do të vazhdojnë të ndihen për një periudhë të gjatë.

Gjithashtu, ata u bënë thirrje vendeve të shmangin masa proteksioniste, si kufizimet e eksporteve apo barrierat tregtare, të cilat mund të përkeqësojnë më tej situatën në tregjet ndërkombëtare.