Bilanci i viktimave nga sulmi i rëndë me armë zjarri në një shkollë të mesme në Kahramanmaraş të Turqisë është rritur ndjeshëm, duke arritur në nëntë të vdekur dhe të paktën 13 të plagosur, gjashtë prej tyre në gjendje të rëndë.
Sipas autoriteteve, ngjarja ndodhi në shkollën “Ayser Çalık”, ku sulmuesi – i dyshuar si nxënës – hyri i armatosur në ambientet e institucionit dhe hapi zjarr në mënyrë të pakontrolluar në dy klasa. Ministri i Brendshëm, Mustafa Çiftçi, konfirmoi se mes viktimave janë tetë nxënës dhe një mësues.
Raportohet se autori kishte me vete një arsenal të konsiderueshëm, përfshirë pesë armë zjarri dhe shtatë karikatorë, çka ka shtuar edhe më shumë tronditjen mbi përmasat e sulmit.
Më herët, guvernatori i provincës, Mükerrem Ünlüer, kishte raportuar për një bilanc më të ulët viktimash, por zhvillimet e mëvonshme konfirmuan përkeqësimin e situatës.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë forca të shumta policie dhe ekipe emergjente, ndërsa zona u rrethua dhe u vendosën masa të forta sigurie. Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë skena paniku, me nxënës që largohen me vrap dhe prindër që vërshojnë drejt shkollës.
Ndërkohë, ministri i Drejtësisë, Akın Gürlek, njoftoi se për hetimin e kësaj ngjarjeje janë angazhuar disa prokurorë dhe zëvendëskryeprokurorë, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive.
Kjo tragjedi vjen vetëm një ditë pas një tjetër sulmi të armatosur në Şanlıurfa, ku një ish-nxënës plagosi 16 persona përpara se t’i jepte fund jetës, duke shtuar shqetësimet për sigurinë në shkollat turke.









