Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Partia Socialiste e Shqipërisë ka siguruar një shumicë prej 83 mandatesh në Kuvend, të cilën ai e cilësoi si një mandat të qartë nga qytetarët për vazhdimin e qeverisjes.
Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste në qytetin e Vlorës, Rama u shpreh se vota e qytetarëve është një përgjegjësi për të garantuar stabilitetin politik dhe për të mos lejuar, siç tha ai, që procesi i negociatave me Bashkimin Evropian të ndikohet nga tensionet apo aktet e dhunshme.
Ai theksoi se ky mandat i jep forcë shumicës qeverisëse për të vijuar reformat dhe për të çuar përpara procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Në të njëjtën linjë, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh optimist për zgjerimin e mbështetjes politike në të ardhmen, duke deklaruar se Partia Socialiste synon të konsolidojë praninë e saj në nivel vendor dhe të konfirmojë pozicionin e saj si forcë kryesore qeverisëse në të gjithë vendin.
Rama: “Numri i turistëve dhe të gjitha kategoritë dhe burimet janë në rritje, janë në rritje domethënëse. A mund të mendosh se këtë gjë mund ta marrësh vesh nga ato pasqyrat që hapen me gisht në telefon, nuk bëhet fjalë. Sigurisht që ato pasqyrat ndikojnë negativisht në psikologjinë e njerëzve. Është shumë e rëndësishme që të mos kemi humbje kohe. Ishin 27 ligje, që ishin pjesë e negociatave.
Për të kuptuar të gjithë ju se si funksionin kalendari dhe pse koha është flori, po ju them që unë nuk mund të isha dot në atë seancë, sepse duhet të isha jashtë, i kam marrë personalisht në telefon në Bruksel, dhe u kam thënë që dua të jem edhe unë personalisht. Imagjinoni sikur ne të mos kishim 83 vota, por të kishim 77 vota, ku Komisioni Europian nuk pret dot 3 ditë.
Fati që po i buzëqesh Shqipërisë, do nxihej përsëri dhe do e humbiste përsëri një shans historik, që e ka humbur më parë. Populli shqiptar që janë si ju, që janë pararoja e kësaj lëvizje kombëtare, na erdhi në takim më 11 maj dhe na dha 83 mandate, jo për mua, pro për të mos lejuar që negociatat të bëheshin pre e molotovëve dhe molotovarëve. Ne këtë duhet ta kemi parasysh . Ne këtë duhet ta kemi parasysh çdo ditë, që PS ta bëjmë më të fortë. Kur të vijë viti tjetër, ne ta konfirmojmë partinë në çdo bashki të vendit. Ne duhet të vazhdojmë drejt, sepse 83 vota i kemi dhe nuk i përdorur për të koncentruar pushtet, por për të bërë shtetin e shqiptarëve”,









