NISMA LIGJORE/ Lufta kundër pastrimit të parave – Kufizohen pagesat “cash” dhe rriten kontrollet në kufi

Një nismë e re ligjore e Qeverisë së Shqipërisë synon të ashpërsojë masat kundër pastrimit të parave dhe të përafrojë kuadrin ligjor me standardet e Bashkimit Evropian në procesin e integrimit.

Projektligji, i hedhur për konsultim publik, parashikon rregulla më të rrepta për qarkullimin e parave dhe monitorimin e transaksioneve financiare, duke përfshirë edhe asetet digjitale si kriptovalutat. Sipas dispozitave të reja, çdo transferim i kriptoaseteve duhet të shoqërohet me të dhëna të plota dhe të verifikueshme për identitetin e dërguesit dhe marrësit të fondeve.

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me kufizimin e përdorimit të parasë në dorë. Projektligji vendos një prag maksimal prej 10 mijë eurosh për pagesat “cash” brenda vendit në transaksione tregtare, me synimin për të reduktuar ekonominë informale.

Në të njëjtën kohë, forcohen edhe kontrollet në pikat doganore, ku qytetarët dhe subjektet do të jenë të detyruar të deklarojnë çdo shumë parash apo instrumente financiare të barabarta ose mbi 10 mijë euro. Autoritetet doganore do të kenë gjithashtu të drejtën të bllokojnë përkohësisht fonde edhe nën këtë prag, në rast se ekzistojnë dyshime për lidhje me aktivitete kriminale.

Projektligji përfshin gjithashtu detyrime të reja raportimi për blerjet e luksit, duke vendosur kufij dhe kontroll për automjete me vlerë mbi 250 mijë euro, si dhe mjete lundruese apo fluturuese që tejkalojnë vlerën 7.5 milionë euro.

Sipas autoriteteve, këto masa synojnë rritjen e transparencës financiare, forcimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe përafrimin me praktikat më të mira ndërkombëtare në këtë fushë.