Kryeministri i Republikës së Polonisë, Donald Tusk, ka përshëndetur fitoren e opozitës hungareze të udhëhequr nga Péter Magyar, duke e cilësuar atë si një moment historik për rikthimin e unitetit evropian.
Në një reagim të publikuar në platformën sociale “X”, Tusk e ka quajtur rezultatin zgjedhor në Hungaria një “fitore të lavdishme” dhe një sinjal të fortë për forcimin e Bashkimit Evropian.
“Evropa, Polonia dhe Hungaria të bashkuara sërish! Fitore e lavdishme, miq të dashur!”, ka shkruar ai, duke shtuar edhe një mesazh të drejtpërdrejtë në gjuhën hungareze “Rusët, shkoni në shtëpi”, një deklaratë e interpretuar si kritikë e hapur ndaj ndikimit rus në rajon.
Fitorja e opozitës në Hungari ka sjellë largimin e kryeministrit në detyrë Viktor Orbán, i cili për vite me radhë ka ndjekur një politikë më të afërt me Moskën dhe shpesh është përplasur me institucionet e Bashkimit Evropian.
Sipas analizave politike, ndryshimi i pushtetit në Budapest shihet si një kthesë e rëndësishme strategjike në Evropën Qendrore, me potencial për të rritur bashkëpunimin brenda BE-së dhe për të rishikuar raportet me Rusinë.
Zhvillimet e fundit konsiderohen një sinjal i fortë politik për orientimin e ardhshëm të Hungarisë drejt integrimit më të thellë evropian dhe distancimit nga influencat e jashtme që kanë dominuar politikën e saj në vitet e fundit.









