MESAZHI/ “Po ngarkojmë anijet me municionet më të fuqishme” – Trump thirrje Iranit: Gati t’i përdorim nëse dështojnë negociatat

Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar retorikën ndaj Iranit, në prag të bisedimeve të shumëdiskutuara që pritet të zhvillohen në Pakistan, duke paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për veprim ushtarak në rast të dështimit të negociatave.

Në një intervistë për “New York Post”, Trump deklaroi se forcat detare amerikane po pajisen me armatime të avancuara dhe se SHBA është në gatishmëri të plotë.

“Do ta zbulojmë brenda rreth 24 orësh. Do ta dimë shumë shpejt nëse marrëveshja do të arrihet,” u shpreh ai, duke lënë të hapur mundësinë e zhvillimeve të shpejta diplomatike ose ushtarake.

Trump tha gjithashtu se administrata e tij po ndërmerr një “rikthim të plotë të fuqisë ushtarake”, duke theksuar se anijet luftarake po pajisen me “armët më të mira të ndërtuara ndonjëherë”.

“Po ngarkojmë anijet me municionet më të mira, më të avancuara se çdo gjë që kemi përdorur më parë,” deklaroi ai.

Në fund, presidenti amerikan i dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë Teheranit, duke theksuar se çdo dështim i negociatave do të pasohet me përdorim të forcës ushtarake: “Nëse nuk arrijmë marrëveshje, do t’i përdorim dhe do t’i përdorim në mënyrë shumë efektive.”