Polemikat rreth finales së Kupës së Afrikës mes Marokut dhe Senegalit vazhdojnë të thellohen, me akuza dhe dyshime të reja që hedhin hije mbi zhvillimin e ndeshjes dhe vendimet e marra nga organet përkatëse.
Së fundmi, diskutimet janë fokusuar te roli i arbitrave dhe mundësia e ndërhyrjeve në vendimmarrje, pas një konference për shtyp ku ishte i pranishëm presidenti i Konfederatës Afrikane të Futbollit (CAF), Patrice Motsepe. Deklaratat e tij, të konsideruara të paqarta, kanë shtuar më tej dyshimet.
Një nga çështjet më të debatuara mbetet fakti që lojtarët e Senegalit nuk u ndëshkuan me kartonë të verdhë pas ndërprerjes së lojës për disa minuta, një incident që shkaktoi kaos dhe bëri jehonë ndërkombëtare. Pas kësaj ngjarjeje, CAF vendosi t’i heqë titullin Senegalit dhe t’ia akordojë Marokut, vendim që aktualisht është në shqyrtim në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).
I pyetur për një ndërhyrje të mundshme nga drejtues të komisionit të arbitrave, Motsepe shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke ia kaluar fjalën sekretarit të përgjithshëm. Ky i fundit u kufizua të deklarojë se procedurat janë ende në zhvillim, pa konfirmuar apo mohuar akuzat.
Mungesa e një qëndrimi të prerë nga drejtuesit e CAF dhe vazhdimi i hetimeve disiplinore kanë ushqyer spekulimet për një ndikim të mundshëm në menaxhimin e ndeshjes, duke e mbajtur çështjen ende të hapur dhe nën vëzhgim ndërkombëtar.









