Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka njoftuar qytetarët shqiptarë se, duke nisur nga 10 prilli 2026, në vendet e hapësirës Shengen do të zbatohet plotësisht Sistemi Evropian i Hyrje/Daljes (EES), duke sjellë ndryshime të rëndësishme në procedurat kufitare.
Ky sistem i ri zëvendëson vulosjen tradicionale të pasaportave me regjistrimin elektronik të hyrjeve dhe daljeve për shtetasit që vijnë nga vende jashtë Bashkimit Evropian.
Sipas njoftimit, në hyrjen e parë pas kësaj date, qytetarët shqiptarë do t’i nënshtrohen një procesi regjistrimi në kufi, ku do të mblidhen të dhënat e pasaportës, fotografia e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve. Autoritetet theksojnë se refuzimi për të dhënë të dhënat biometrike do të sjellë automatikisht refuzimin e hyrjes në territorin Shengen.
Gjithashtu, paralajmërohet se në fazën fillestare mund të ketë vonesa në aeroporte, porte dhe pika kufitare tokësore, ndaj qytetarët këshillohen të paraqiten më herët për udhëtim. Pasaporta duhet të jetë e vlefshme dhe në gjendje të mirë fizike.
Ministria sqaron se nuk kërkohet aplikim paraprak për sistemin EES, pasi regjistrimi kryhet në momentin e kalimit kufitar. Ndërkohë, rregulli i qëndrimit mbetet i pandryshuar: maksimumi 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore në zonën Shengen.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të informohen paraprakisht dhe të planifikojnë udhëtimet duke marrë parasysh kohën shtesë që mund të nevojitet për kontrollet e reja.









