Milani humbi Olise për 9 mln – sot vlen 140 mln

Sot mund të duket e pabesueshme, por disa vite më parë Michael Olise ishte shumë pranë transferimit te AC Milan.

Në vitin 2021, kur drejtimin teknik të kuqezinjve e mbante Paolo Maldini, talenti i ri i Reading FC ishte një nga objektivat e klubit. Në atë kohë vetëm 19 vjeç, Olise konsiderohej një investim për të ardhmen, me planin për t’u huazuar fillimisht në Serie B për të fituar përvojë.

Marrëveshja mund të realizohej për rreth 9 milionë euro, por në fund ishte Crystal Palace që arriti ta transferonte, duke i dhënë mundësinë të shpërthente në Premier League.

Sot, karriera e tij ka marrë një tjetër drejtim. Pas paraqitjeve mbresëlënëse, Olise është transferuar te Bayern Munich për rreth 53 milionë euro, ndërsa vlera e tij në treg, sipas Transfermarkt, ka arritur në afro 140 milionë euro.

Sezoni aktual vetëm sa konfirmon rritjen e tij të jashtëzakonshme: me 11 gola dhe 20 asistime në Bundesliga, ai po shfaqet si një nga talentet më të spikatur të brezit të tij.