Balliu ‘kapet mat’ në Kuvend – I kërkon ChatGPT t’i shkruajë fjalimin

Seanca plenare e kësaj të enjteje në Kuvend u zhvillua pa tensione të forta apo përplasje, një situatë e pazakontë për klimën politike të zakonshme. Mungesa e disa figurave të opozitës, përfshirë Flamur Nokën pas përjashtimit të tij, duket se ka ndikuar në këtë qetësi relative.

Megjithatë, seanca nuk ka kaluar pa episode të veçanta. Kamerat kanë fiksuar një moment kur deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, shihet duke përdorur ChatGPT për të përgatitur fjalimin e tij.

Në pamjet e regjistruara, ai tenton të ulë ekranin e laptopit, si për të shmangur vëmendjen, ndërsa në ekran duket qartë përdorimi i platformës për hartimin e fjalës që do të mbante më pas në foltoren e Kuvendit.

Ngjarja ka ngjallur reagime dhe komente, duke e kthyer në një nga momentet më të diskutuara të kësaj seance, mes debatit për përdorimin e teknologjisë në politikë dhe seriozitetin e përfaqësimit publik.