Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, dhe homologu i tij amerikan, Donald Trump, zhvilluan një bisedë telefonike ku diskutuan mbi armëpushimin e shpallur me Iranin dhe rëndësinë e përdorimit të periudhës dyjavore për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon.
Sipas një deklarate të Presidencës turke, Erdogan vlerësoi vendimin për armëpushim dhe nënvizoi se “kjo periudhë dyjavore pas javëve të tensionuara duhet të përdoret në mënyrë efektive për të arritur një marrëveshje të përhershme paqeje”. Ai paralajmëroi gjithashtu kundër çdo përpjekjeje për të minuar ose prishur procesin dhe theksoi se Turqia do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet diplomatike përkrah vendeve mike dhe vëllazërore, duke përfshirë edhe Pakistanin, për të siguruar një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit.
Në bisedën telefonike u shqyrtuan gjithashtu zhvillimet e fundit rajonale, duke përfshirë tensionet e shkaktuara nga konflikti i përshkallëzuar në Iran dhe ndikimin e tij në sigurinë e rajonit të Gjirit. Burime diplomatike bëjnë me dije se të dy liderët ranë dakord që bashkëpunimi ndërkombëtar dhe komunikimi i vazhdueshëm do të jenë kyç për stabilizimin e situatës dhe shmangien e përshkallëzimeve të reja.
Deklarata e Presidencës turke nënvizon gjithashtu se Erdogan ka kërkuar përdorimin e kësaj “dritareje mundësie” dyjavore për të parandaluar tensionime të reja dhe për të favorizuar dialogun politik dhe diplomatik mes palëve të përfshira.









