Korrupsioni është më i ulët se kurrë më parë – Rama nga Lezha: Shqipëria nuk ka pasur rezultate të tilla

Gjatë takimit me Asamblenë Socialiste të Lezhës më 8 prill 2026, kryeministri Edi Rama u shpreh se qeveria ka bërë përparim të madh në luftën kundër korrupsionit, edhe pse nuk mund të pretendonte se dukuria është zhdukur plotësisht. Ai theksoi se shifrat dhe rezultatet ekonomike tregojnë një situatë krejtësisht të ndryshme nga perceptimet negative që qarkullojnë në media.

“Ne s’mund të themi se kemi shfarosur korrupsionin, por mund të them diçka: kurrë më parë Shqipëria nuk e ka luftuar korrupsionin si tani dhe nuk ka pasur këto rezultate. Të gjithë ata që na janë vënë përballë, në fakt përballë s’kemi njeri, ne i kemi mbrapa dhe na gjëmojnë nga pas duke krijuar zhurmë të madhe: ‘korrupsioni, korrupsioni’”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se rritja e ekonomisë, investimet dhe përmirësimi i pagave dhe pensioneve janë dëshmi e qartë se korrupsioni nuk po pengon zhvillimin e vendit. “Si mund të ketë rritje të pagave dhe rritje të korrupsionit në të njëjtën kohë? Nuk ndodh kjo në vendet e tjera. Si mund të rriten pensionet dhe korrupsioni? Ai presupozon se i thith të ardhurat nga buxheti dhe i çon te xhepat e të tjerëve. Nuk shkojnë bashkë këto gjëra”, shtoi ai.

Rama përmendi gjithashtu arritjet në sektorin e turizmit dhe investimet e huaja, duke bërë një krahasim mes gjendjes së mëparshme dhe rezultateve aktuale: “E kemi marrë Shqipërinë me 2 milionë turistë dhe investime të huaja 200-300 milionë në vit. Tani kemi arritur 12 milionë turistë dhe kemi kaluar 1.5 miliardë euro investime të huaja”.

Ai foli gjithashtu për përmirësimet në sektorin e shëndetësisë: “Isha te spitali i Lezhës, ishin shefat e pavioneve, por aty ka ndryshuar gjithçka nga infrastruktura, tani kanë paga dinjitoze dhe indeksim të pagave çdo vit. Po ashtu edhe pensionet janë futur në rrugën e parashikimeve të përvitshme të buxhetit, me dyfishim çdo janar”.

Kryeministri nënvizoi rëndësinë e integrimit në Bashkimin Europian, duke e cilësuar këtë si një mundësi historike për vendin: “Na është dhënë mundësia që me duart tona ta marrim Shqipërinë dhe ta çojmë te dhoma e pritjes së BE-së dhe ta bëjmë anëtare të barabartë me familjen evropiane. Historia nuk do na e falë nëse nuk e arrijmë këtë”.

Ai gjithashtu foli për projektet infrastrukturore dhe turistike në Lezhë, të cilat sipas tij do ta transformojnë zonën në një destinacion të nivelit evropian: “Këto projekte nuk janë ëndrra, janë investime që ia vlen të luftohet dhe fitohet. Do të lënë gjurmë në historinë e qytetit dhe vendit”.

Rama përfundoi fjalën e tij duke bërë thirrje për vendosmëri dhe bashkëpunim të mazhorancës: “Na duhet vetëm të jemi shumë të vendosur, shumë kompakt dhe mbi të gjitha të vetëdijshëm se ajo që kemi para është diçka e jashtëzakonshme dhe duhet ta realizojmë. Ky duhet të jetë fiksimi ynë”.

Ky takim e vendos luftën kundër korrupsionit dhe zhvillimin ekonomik në fokus, duke nxjerrë në pah përparimet e arritura dhe sfidat që mbeten, ndërsa integrimi në BE mbetet prioriteti kryesor i qeverisë.