Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë hyrë në një fazë tepër të rrezikshme, pas deklaratës së fortë të Donald Trump, i cili paralajmëroi se “një qytetërim i tërë mund të vdesë sonte”.
Në përgjigje, Garda Revolucionare e Iranit ka reaguar ashpër, duke paralajmëruar se çdo shkelje e “vijave të kuqe” nga ana e ushtrisë amerikane do të përballet me një kundërpërgjigje që shtrihet përtej kufijve të rajonit. Në deklaratën zyrtare theksohet se përmbajtja e treguar deri tani ka marrë fund dhe se Irani është gati të veprojë pa hezitim.
Sipas Gardës Revolucionare, objektiv i mundshëm do të jetë infrastruktura e SHBA-së dhe aleatëve të saj, me synim goditjen e furnizimeve me naftë dhe gaz, duke paralajmëruar pasoja që mund të zgjasin për vite me radhë.
“Ne nuk kemi qenë dhe nuk do të jemi iniciatorë të sulmeve ndaj objektivave civile, por nuk do të hezitojmë të hakmerremi ndaj çdo sulmi ndaj infrastrukturës civile,” thuhet në deklaratë, duke nënvizuar një ndryshim të qartë në qasjen strategjike të Iranit.
Gjithashtu, një mesazh i drejtpërdrejtë iu dërgua edhe partnerëve të SHBA-së në rajon, të cilëve u kërkohet të marrin parasysh pasojat e mundshme, pasi – sipas Gardës – kufizimet e mëparshme në përzgjedhjen e objektivave nuk do të vlejnë më.
Këto zhvillime vijnë në një moment kur situata në Lindjen e Mesme është në pikën më të nxehtë të viteve të fundit, duke rritur frikën për një përshkallëzim të madh ushtarak dhe një krizë të mundshme globale, sidomos në tregjet e energjisë.









