Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka reaguar me tone të ashpra pas sulmit të armatosur pranë konsullatës izraelite në Stamboll, duke e cilësuar atë si një “akt frikacak dhe terrorist”.
Në deklaratën e tij, Erdogan bëri të ditur se tre autorët e dyshuar të sulmit janë neutralizuar nga forcat e sigurisë, ndërsa dy efektivë policie kanë mbetur të plagosur lehtë gjatë shkëmbimit të zjarrit.
“Dua që të dihet se ne e dënojmë sulmin frikacak që ndodhi sot në Beşiktaş. Në këtë akt të shëmtuar terrori, 3 terroristë u neutralizuan dhe 2 nga oficerët tanë heroikë të policisë u plagosën lehtë,” u shpreh presidenti turk.
Ai shtoi se autoritetet kanë reaguar menjëherë dhe se hetimet janë në zhvillim të plotë. Zyra e Kryeprokurorit, policia dhe agjencitë e inteligjencës janë angazhuar për të zbardhur rrethanat dhe motivet e këtij sulmi, që ka ngritur alarmin në një nga zonat më të ndjeshme të qytetit.
Ngjarja ka rritur shqetësimin për sigurinë në zonat diplomatike, ndërsa autoritetet turke kanë forcuar masat e sigurisë përreth përfaqësive të huaja në vend.









