Kryeministri i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, zhvilloi një takim dy-orësh me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Pas përfundimit të takimit, Kurti u shpreh se qëllimi kryesor është shmangia e zgjedhjeve të reja, të cilat sipas tij nuk përbëjnë një zgjidhje të qëndrueshme për situatën aktuale. “Na kanë mbetur vetëm tri javë për zgjedhjen e presidentit, dhe duhet të maksimizojmë përpjekjet për të arritur një marrëveshje politike,” tha ai.
Kryeministri theksoi se takimi ka shkuar në një atmosferë konstruktive dhe se optimizmi lind nga bashkëpunimi i dy partive për të shmangur një fushatë të re zgjedhore që, sipas tij, nuk do të prodhonte rezultate të ndryshme nga situata aktuale. Ai shtoi se për të zgjedhur presidentin është e nevojshme të sigurohen së paku 84-85 vota, dhe se një përpjekje me vetëm 80 deputetë do të ishte shumë e rrezikshme.
Kurti shprehu besimin se përmes takimeve të tilla gjatë tre javëve të ardhshme mund të arrihet një marrëveshje politike, duke shtuar se nuk duhet të presin deri në momentin e fundit. Ai e konsideron përfshirjen e gjithë palëve në dialog si të domosdoshme për të garantuar stabilitet institucional.









