Një aksident i rëndë ajror është regjistruar në qytetin Kapao da Kanoa, në shtetin jugor Rio Grande do Sul në Brazil, ku një avion privat është rrëzuar mbi një ndërtesë, duke shkaktuar vdekjen e katër personave në bord.
Sipas autoriteteve vendase, viktimat janë dy pilotë dhe dy biznesmenë, të cilët humbën jetën menjëherë pas përplasjes. Avioni, i vogël dhe me një motor, ishte nisur drejt qytetit Ibitinga, në shtetin Sao Paulo.
Ngjarja ndodhi rreth orës 10:40 sipas kohës lokale, kur avioni, që po fluturonte në lartësi të ulët, u përplas në një restorant të mbyllur. Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta.
Pamjet e kapura nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin e përplasjes dhe shpërthimin e fortë që pasoi. Përveç avionit, disa ndërtesa përreth pësuan dëmtime, por fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar në tokë.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.









