Tragjedi në Bologna – Një 12 vjeçar shqiptar humb jetën pasi bie nga kati i tetë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Bologna në Itali, ku një 12-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën në mënyrë tragjike pasi ra nga një pallat.

Viktima, Louis Pisha, ndodhej në tarracën e një ndërtese në zonën e Via Piave së bashku me dy shokë, kur ndodhi aksidenti fatal. Sipas të dhënave paraprake nga policia e komisariatit Santa Viola, i mituri kishte hipur mbi një dritare plastike transparente në çati, e cila u thye papritur nën peshën e tij.

Fillimisht, ai ka mbetur i varur, ndërsa shokët u përpoqën ta ndihmonin duke e kapur, por pa sukses. Për pasojë, 12-vjeçari ra nga kati i tetë dhe ndërroi jetë në vend.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e emergjencës, policia dhe zjarrfikësit, por fatkeqësisht nuk mundën të bënin asgjë për ta shpëtuar.

Mësohet se i mituri nuk banonte në pallatin ku ndodhi ngjarja. Pak më vonë, në vendin e tragjedisë mbërritën prindërit dhe familjarët, ndërsa skenat e dhimbjes ishin të rënda. Nëna e tij, e shkatërruar nga dhimbja, kërkonte me dëshpërim të mësonte se çfarë kishte ndodhur me të birin.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike, e cila ka tronditur komunitetin lokal.