Më shumë se 20 prokurorë të përgjithshëm nga radhët e demokratëve kanë ngritur padi kundër urdhrit ekzekutiv të presidentit amerikan Donald Trump, i cili synon të kufizojë votimin me postë.
Sipas këtij urdhri, Departamenti i Sigurisë Kombëtare ngarkohet të hartojë një listë të votuesve duke përdorur të dhëna federale mbi shtetësinë dhe natyralizimin. Dokumenti përcakton se e drejta e votës u takon vetëm individëve mbi 18 vjeç që kanë shtetësi amerikane.
Urdhri parashikon gjithashtu masa ndëshkuese për shtetet dhe autoritetet lokale që nuk e zbatojnë atë, përfshirë humbjen e fondeve federale dhe hetime të mundshme.
Në padinë e tyre, prokurorët e cilësojnë këtë veprim si një ndërhyrje jokushtetuese në administrimin e zgjedhjeve, duke argumentuar se Kushtetuta ua delegon këtë përgjegjësi shteteve dhe jo presidentit. Ata paralajmërojnë se ky vendim mund të shkaktojë konfuzion dhe probleme në sistemet zgjedhore, sidomos në prag të zgjedhjeve të ardhshme.
Prokurori i përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta, u shpreh se presidenti po përpiqet të ndryshojë rregullat e zgjedhjeve pa pasur autoritetin e nevojshëm.
Nga ana tjetër, administrata e Donald Trump ka kritikuar vazhdimisht votimin me postë, duke pretenduar se ai mund të cenojë integritetin e zgjedhjeve, megjithëse pa paraqitur prova konkrete.









