FIFA miraton 5 rregulla të reja për futbollin – Ndryshime nisin nga Botërori 2026

FIFA ka zyrtarizuar një paketë me pesë rregulla të reja që do të hyjnë në fuqi duke nisur nga Kupa e Botës 2026. Qëllimi i këtyre ndryshimeve është të përshpejtohet loja, të rritet drejtësia në vendimmarrje dhe të menaxhohet më mirë koha efektive në fushë.

Një nga risitë kryesore lidhet me zëvendësimet. Lojtari që largohet nga fusha do të ketë vetëm 10 sekonda kohë për të dalë. Në rast se e tejkalon këtë afat, futja e zëvendësuesit do të vonohet me 60 sekonda, duke e lënë ekipin përkohësisht me një lojtar më pak.

Gjithashtu, FIFA vendos kufizime të reja për rifillimin e lojës. Rivëniet anësore dhe goditjet nga porta duhet të kryhen brenda 5 sekondash, përndryshe skuadra humbet posedimin e topit.

Një tjetër ndryshim ka të bëjë me trajtimin mjekësor. Çdo lojtar që merr ndihmë në fushë do të duhet të dalë jashtë dhe të presë të paktën një minutë para se të rikthehet në lojë, përveç rasteve kur dëmtimi është pasojë e një faulli të ndëshkueshëm me karton.

Roli i sistemit VAR do të zgjerohet më tej. Ai do të ketë të drejtë të ndërhyjë edhe në rastet e kartonëve të dytë të verdhë që çojnë në përjashtim, si dhe në vendime të diskutueshme për goditje këndi.

Ndërkohë, rikujtohet edhe një rregull ekzistues për komunikimin me arbitrin: vetëm kapiteni i skuadrës mund t’i drejtohet atij për të diskutuar vendimet. Çdo grumbullim i lojtarëve të tjerë rreth arbitrit mund të ndëshkohet me karton të verdhë.