Kombëtarja e Kosovës ka humbur me rezultatin 1-0 ndaj Turqisë në finalen e playoff-it për Kupën e Botës, duke i dhënë fund ëndrrës për kualifikim.
“Dardanët” zhvilluan një paraqitje solide, sidomos në pjesën e parë, ku dominuan lojën dhe krijuan disa raste të rrezikshme. Në minutën e 21-të, pas një aksioni të bukur, tentativa e Veldin Hoxhës u ndal nga mbrojtja turke.
Rasti më i pastër erdhi në minutën e 28-të, kur Fisnik Asllani goditi shtyllën me një goditje të fuqishme, ndërsa në rikthim Vedat Muriqi nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë.
Në pjesën e dytë, Turqia shfrytëzoi një nga rastet e pakta që krijoi, duke kaluar në avantazh në minutën e 53-të me golin e Kerem Akturkoglut.

Kosova provoi të reagojë dhe krijoi edhe një tjetër mundësi me Asllanin, por portieri kundërshtar u tregua vendimtar, duke ruajtur avantazhin e ekipit të tij deri në fund.
Me këtë humbje, Kosova e mbyll rrugëtimin e saj në playoff, ndërsa Turqia siguron një vend në Kupën e Botës.









