Lëshohet alarm sigurie për Arabinë Saudite – SHBA paralajmëron: Rrezik për sulme ndaj bizneseve dhe institucioneve

Departamenti Amerikan i Shtetit ka paralajmëruar për një situatë të ndjeshme sigurie në Arabinë Saudite, duke njoftuar për kërcënime të mundshme ndaj vendeve ku frekuentohen qytetarët amerikanë.

Në njoftimin zyrtar thuhet se po monitorohen raporte për rreziqe ndaj objekteve si hotele, biznese amerikane dhe institucione arsimore, të cilat mund të shënjestrohen nga sulme të mundshme.

Autoritetet amerikane kanë udhëzuar punonjësit e tyre në Arabinë Saudite të qëndrojnë në vend, ndërsa edhe qytetarëve u është rekomanduar të tregojnë kujdes dhe të ndjekin masa të shtuara sigurie.

Paralajmërimi vjen në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta, ndërsa SHBA vijon të ndjekë nga afër zhvillimet dhe çdo kërcënim potencial ndaj shtetasve të saj jashtë vendit.