Bordi i Transparencës vendosi sërish rritjen e çmimeve të naftës dhe benzinës, duke tensionuar tregun dhe xhepat e shoferëve shqiptarë. Nga ora 22:30 e 28 marsit 2026, çmimi i naftës u rrit nga 203 lekë në 218 lekë për litër, ndërsa benzina nga 175 lekë arriti në 181 lekë për litër.
Sipas vendimit, çmimi i shitjes me shumicë i gazoilit është përcaktuar në maksimum 206 lekë/litër, ndërsa benzina në 169 lekë/litër. Çmimet do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku nuk përjashtohen ndryshime të tjera.
Autoritetet paralajmërojnë operatorët e tregtimit të karburanteve për zbatimin e rreptë të vendimit: çdo shkelje mund të çojë në pezullimin e aktivitetit. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë theksojnë se do të qëndrojnë vigjilente për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.









