Grupi Huthi i Jemenit ka konfirmuar sulmin e tij të parë të drejtpërdrejtë kundër Izraelit, duke përdorur raketa balistike kundër objektivave të ndjeshme ushtarake. Në një deklaratë të publikuar të shtunën në mëngjes, Huthit theksuan se operacionet do të vazhdojnë deri në realizimin e qëllimeve të tyre dhe deri në ndalimin e asaj që e quajnë “agresion në të gjitha frontet”.
Sulmi vjen si reagim ndaj goditjeve të vazhdueshme ndaj infrastrukturës në Iran, Liban, Irak dhe territoret palestineze, sipas Huthit. Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) konfirmuan identifikimin e së paku një rakete të lëshuar nga Jemeni, duke e cilësuar si rastin e parë të regjistruar të një sulmi të tillë që nga fillimi i luftës.
Huthët, të njohur zyrtarisht si Ansar Allah (“Mbështetësit e Zotit”), janë një organizatë politike dhe ushtarake shiite që e shohin veten pjesë të “boshtit të rezistencës” të udhëhequr nga Irani kundër Izraelit, SHBA-së dhe Perëndimit. U themeluan në vitet 1990 nga Hussein al-Houthi, dhe aktualisht udhëhiqen nga vëllai i tij, Abdul Malik al-Houthi.
Ky sulm shënon një përshkallëzim të ri në Lindjen e Mesme, duke treguar se konflikti po shtrihet në fronte të reja dhe se tensionet rajonale mund të marrin përmasa më të gjera.









