Përpjekjet e ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve të shkarkuar nga sistemi i drejtësisë për t’u rikthyer në detyrë kanë marrë një goditje të fortë. Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur të mos pranojë 13 kërkesa për rishikim vendimi, duke i mbyllur rrugën një rikthimi të mundshëm në sistem.
Kërkesat ishin paraqitur nga një grup prej 29 ish-magjistratësh, të cilët kanë kërkuar rihapjen e proceseve pa pritur vendimet e Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Ata argumentonin se vendimet ndaj tyre duhet të rivlerësohen, pasi dy ish-anëtarë të trupave gjykuese të KPA-së janë shpallur fajtorë nga drejtësia.
Megjithatë, trupat gjykuese të përbëra nga Ina Rama, Natasha Mulaj, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo, vendosën unanimisht mospranimin e këtyre kërkesave.
Ndër emrat që u refuzuan janë ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë të njohur, të cilët kishin kundërshtuar vendimet e mëparshme të vettingut, duke kërkuar një shans të dytë për t’u rikthyer në sistem.
Janë rrëzuar kërkesat e ish-gjyqtares Alma Brati, ish-prokurorit Arben Dollapaj, ish-prokurorit Ardian Ylli, ish-drejtuesit të Prokurorisë së Kavajës, Artan Madani, ish-gjyqtarit Astrit Faqolli, ish-gjyqtares Bernina Kondi, ish-gjyqtarit Bledar Abdullai, ish-Prokurorit Dritan Peka, ish-prokurorit Dritan Rreshka, ish-prokurorit Elsion Sadiku, ish-gjyqtares Entela Prifti, ish-prokurorit Gentian Trenova dhe ish-gjyqtarit Kastriot Gramshi.
Argumenti kryesor i tyre lidhej me rastet e Luan Daci dhe Ardian Hajdari, dy ish-anëtarë të KPA-së që kishin marrë pjesë në vendimet e shkarkimit dhe që më pas janë dënuar për shkelje ligjore. Të shkarkuarit pretendonin se prania e tyre në proces cenonte drejtësinë e vendimeve.
Pavarësisht kësaj, KPA vendosi të mos rihapë asnjë prej çështjeve, duke konfirmuar vijimin e qëndrimit të saj të mëparshëm.
Procesi i vettingut, që zgjati rreth tetë vite, kaloi në filtër mbi 800 gjyqtarë dhe prokurorë, ku më shumë se gjysma e tyre dolën jashtë sistemit – përmes shkarkimeve, dorëheqjeve apo mungesës së vendimeve përfundimtare.
Vendimi i fundit tregon se, të paktën për momentin, rruga për rikthim në drejtësi për të shkarkuarit mbetet pothuajse e mbyllur.









