Bisedimet mes dy vendeve po japin rezultate – Donald Trump: Irani pranon të heqë dorë nga armët bërthamore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Irani ka rënë dakord që të mos zhvillojë kurrë armë bërthamore, duke lënë të kuptohet se bisedimet mes dy vendeve po japin rezultate.

Gjatë një deklarate për mediat, Trump u shpreh se komunikimi mes Uashingtonit dhe Iranit po zhvillohet në mënyrë konstruktive, duke theksuar se pala iraniane është e interesuar për arritjen e një marrëveshjeje.

Ai shtoi se negociatat janë aktualisht në zhvillim dhe se ekziston gatishmëri nga ana e Iranit për të arritur një zgjidhje. Sipas Trump, situata ushtarake e Teheranit është dobësuar ndjeshëm, duke përmendur dëmtimin e kapaciteteve detare, ajrore dhe sistemeve të mbrojtjes kundërajrore.

Në këtë kontekst, presidenti amerikan la të nënkuptohet se këto zhvillime kanë ndikuar në gatishmërinë e Iranit për të hyrë në një marrëveshje me SHBA-në.