U përjashtua nga grupi i këshilltarëve të PD Durrës – Boshku shpërthen ndaj Nokës: “Kërkoni para për luks, ndërsa demokratët varfërohen”

Ish-kreu i degës së Partisë Demokratike në Durrës, Arlind Boshku, ka reaguar ashpër pas vendimit të Kryesisë së PD për përjashtimin e tij nga Grupi i Këshilltarëve Bashkiakë, vendim i firmosur nga sekretari i përgjithshëm, Flamur Noka.

Në reagimin e tij publik, Boshku thekson se familja e tij ka kontribuar prej 35 vitesh për Partinë Demokratike, duke marrë pjesë në çdo fushatë dhe betejë politike pa kërkuar asgjë në këmbim. Ai shton se këto sakrifica janë shpërdoruar nga drejtues të partisë, të cilët, sipas tij, i kanë trajtuar si pronë private, pa transparencë dhe pa përgjegjësi.

Sa i përket përjashtimit, Boshku e konsideron arsyetimin zyrtar të pabazë, duke pretenduar se shkaku real lidhet me qëndrimet e tij kritike dhe kontaktet me Ervin Salianji. Ai thekson se prej kohësh ka kërkuar reflektim për humbjet e njëpasnjëshme dhe vendosjen e meritokracisë brenda partisë.

Më tej, ai ngre akuza për kërkesa financiare të pajustifikuara ndaj anëtarëve, duke theksuar mungesën e transparencës dhe duke kundërshtuar atë që e cilëson si përdorim i partisë për përfitime personale dhe luks të disa drejtuesve.

Boshku e cilëson të papranueshme idenë se ai dhe mbështetësit e tij janë larguar nga PD, duke theksuar se ata kanë qenë dhe mbeten aktivë në terren. Në fund, ai nënvizon se Partia Demokratike i përket anëtarëve të saj dhe jo një grupi të kufizuar drejtuesish.

Reagimi i plotë i demokratit Arlind Boshku:

Prej 35 vitesh familjarisht kemi kontribuar për Partinë Demokratike. Kemi qenë aty në çdo betejë: anëtarë komisionesh, pjesë e çdo fushate, drejtues seksionesh e grupseksionesh, nën kryetar dege dhe sot sekretar dege. Gjithmonë me një parim: pa kërkuar asgjë në këmbim dhe luftë me shpenzimet tona.

Por e vërteta duhet thënë. Ndërkohë që ne mbulonim fushatat me kontributet tona, drejtues dhe kandidatë i kanë trajtuar këto sakrifica si pronë private pa transparencë, pa përgjegjësi dhe pa asnjë mbështetje reale për strukturat në terren.

Dje morëm një vendim absurd: përjashtimin tonë nga Këshilli i PD-së. Arsyeja? Një drekë me Ervin Salianjin. E vërteta është tjetër.

Prej muajsh kemi kërkuar reflektim për humbjet e njëpasnjëshme dhe vendosjen e rregullave të qarta për meritokracinë dhe promovimin brenda partisë. Kemi kërkuar diçka elementare: që anëtarët të vendosin për lidershipin, jo lidershipi të përzgjedhë anëtarët sipas interesit për të mbajtur peng partinë.

Shpifjet se ne nuk jemi më me PD janë qesharake. Ne kemi qenë dhe jemi në terren, në fushatë, dhe në çdo përballje politike. Ajo që nuk pranojmë është heshtja përballë dështimit dhe abuzimit.

Për më tep, është e papranueshme që para edhe pas zgjedhjeve të kërkohen “kontribute” financiare pa asnjë transparencë apo dokumentacion siç Nul Moka kërkon.

Partia nuk mund të trajtohet si biznes privat dhe as si mjet për luksin e disa individëve. Ne nuk do paguajme dhe veshjet miliona lek apo luksin e shfrenuar te drejtuesve te opozites qe duhet te kishin kulmin e modestise per shkak te varferise qe kane demokratet te cilet per shkak te gabimeve te ketyre kane 13 vjet ne Opozite!

Partia Demokratike është e demokratëve, jo e një grupi që kërkon ta mbajë të uzurpuar. Investim tim në PD nuk e heq dot askush as ti o Nul Lepurush.