Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, raportohet se ka ndërmarrë një valë përjashtimesh në strukturat lokale të partisë, duke larguar nga funksionet disa anëtarë të identifikuar si mbështetës të Ervin Salianji.
Sipas një vendimi të datës 23 mars, janë përjashtuar nga Grupi i Këshilltarëve Bashkiakë të PD-së në Durrës Dritan Burgija dhe Arlind Boshku, me argumentin e shkeljes së statutit dhe rregullores së brendshme të partisë.
Ky vendim vjen vetëm pak ditë pasi anëtarët e PD-së në Durrës ishin udhëzuar të votonin lirshëm për drejtimin e partisë në zgjedhjet e brendshme.
Nga ana tjetër, Ervin Salianji ka reaguar duke e cilësuar situatën si përjashtim të qëllimshëm të zërave ndryshe brenda partisë. Ai pretendon se janë larguar nga strukturat lokale të gjithë ata që janë perceptuar si mbështetës të tij.
Salianji theksoi se këto veprime përbëjnë një penalizim të mendimit ndryshe brenda Partisë Demokratike, duke shtuar se përjashtimet kanë ardhur menjëherë pas votimeve të brendshme në degët lokale.









