Llogari për mungesën në seancën e imunitetit të Ballukut – Spiropali i kthehet Ballës: “Mblidh grupin, vendimi të jetë i hapur dhe i përgjegjshëm” VIDEO

Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka reaguar ndaj deklaratës së kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, lidhur me mundësinë e mbledhjes së grupit për të diskutuar çështjen e mungesës së saj në seancën e 12 marsit, gjatë votimit për imunitetin e Belinda Balluku.

Në reagimin e saj, Spiropali shprehet dakord me idenë e një konsultimi të gjerë brenda grupit parlamentar, duke theksuar se një diskutim i tillë duhet të zhvillohet pa vonesë.

Ajo nënvizoi rëndësinë e vendimmarrjes kolektive, duke e cilësuar atë si një element kyç për legjitimitetin politik të grupit socialist. Sipas saj, çdo qëndrim që buron nga një debat i hapur dhe i sinqertë meriton respekt, pavarësisht rezultatit.

Spiropali shtoi gjithashtu se, në rast të një mbledhjeje të tillë, diskutimi duhet të jetë i drejtpërdrejtë dhe i ndërgjegjshëm, ndërsa vendimi final duhet të jetë i argumentuar dhe në përputhje me përgjegjësitë që përfaqësuesit politikë kanë ndaj publikut.

Postimi i Spiropalit:

Taulant, e lexova me vonesë një deklaratë tënden publike.
Jam plotësisht dakord. Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë.

Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë.

Vendimmarrja kolektive është forca e grupit të PS dhe garancia e legjitimitetit politik. Çdo qëndrim që del nga një diskutim i hapur, i troçtë dhe i ndërgjegjshëm, meriton respekt, pavarësisht drejtimit që merr.

Rëndësi ka që vendimi të jetë i menduar, i argumentuar dhe në përputhje me përgjegjësinë që kemi përballë publikut.