Tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të përshkallëzohen, teksa Irani ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga konflikti. Pas hedhjes poshtë të pretendimeve të Donald Trump për bisedime “produktive”, autoritetet iraniane kanë deklaruar se lufta do të vazhdojë pa kompromis.
Një zëdhënës i komandës së lartë ushtarake iraniane, gjeneralmajori Ali Abdollahi Aliabadi nga Shtabi Qendror Khatam-al Anbiya, theksoi se forcat e armatosura janë të vendosura të luftojnë “deri në fitoren e plotë”.
Deklarata e tij vjen si reagim i drejtpërdrejtë ndaj pretendimeve të fundit të Trump, i cili kishte njoftuar për negociata mes Teheranit dhe Uashingtonit, duke i cilësuar ato si të suksesshme. Megjithatë, pala iraniane mohon çdo angazhim të tillë diplomatik.
Qëndrimi i Teheranit përkon edhe me linjën e ashpër të ndjekur nga Benjamin Netanyahu, i cili ka paralajmëruar vazhdimin e sulmeve ndaj objektivave në Iran dhe Liban, pavarësisht sinjaleve për negociata.
Këto zhvillime tregojnë një përshkallëzim të mëtejshëm të krizës, ku palët duket se po forcojnë retorikën dhe pozicionet e tyre, duke e bërë edhe më të largët një zgjidhje të shpejtë diplomatike.









