Mbrojtësi i Shqipërisë, Elseid Hysaj, ka folur për sfidën vendimtare ndaj Polonisë më 26 mars, duke shprehur besim se Kombëtarja shqiptare ka mundësi reale për të arritur Botërorin.
Hysaj e cilësoi Poloninë si një kundërshtar të fortë, por theksoi se kjo është një mundësi e veçantë për Shqipërinë. Ai shtoi se, edhe pse ka pasur pak minuta lojë në klubet e tij, në Kombëtare ka dhënë gjithmonë maksimumin dhe ndihet krenar të luajë në këtë fazë vendimtare.
“Është një ndeshje teke dhe e vështirë, por shkojmë për fitore. Kemi vetëm një derë për të kaluar – nëse nuk ia arrijmë, do të qajmë. Besojmë te trajneri, i cili di çdo gjë që duhet bërë. Nëse kalojmë Poloninë, do të jetë ndeshja e jetës tonë dhe do ta luajmë me zemër, duke bërë krenar çdo shqiptar”, tha Hysaj.
Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e lojtarëve që marrin shansin për të treguar vlerat e tyre dhe theksoi se bashkëpunimi i të gjithë ekipit do të vendosë rezultatin në fushë.









