Ambasada e Gjermanisë në Shqipëri ka reaguar pas protestës së opozitës në Tiranë, duke dënuar ashpër aktet e dhunës dhe duke bërë thirrje për përgjegjësi politike.
Në një deklaratë zyrtare në rrjetet sociale, ambasada thekson se protestat dhe tubimet janë një e drejtë themelore në çdo shoqëri demokratike, por nënvizon se ato nuk mund të justifikojnë në asnjë rast dhunën ndaj qytetarëve apo pronës.
“Dhuna është e papranueshme. Protestat janë një e drejtë themelore, por nuk mund të përligjin dëmtimin e personave apo objekteve,” thuhet në reagim.
Ambasada e Gjermanisë në Shqipëri u bën gjithashtu thirrje forcave politike që të distancohen qartë dhe pa ekuivok nga çdo akt dhune, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së standardeve demokratike.
Reagimi vjen në një moment tensionesh politike në vend, ndërsa zhvillimet e fundit kanë rikthyer debatin mbi mënyrën e organizimit dhe menaxhimit të protestave në Shqipëri.










