Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ashpërsuar tonet ndaj Iranit, duke paralajmëruar se vendi mund të përballet me “shkatërrim total” nëse nuk i përgjigjet ultimatumit të vendosur nga Uashingtoni.
Në një intervistë për televizionin izraelit Channel 13, Trump u shpreh se masat e propozuara ndaj Iranit, të lidhura me çështjen e centraleve elektrike, pritet të japin rezultate “shumë pozitive”. Ai shtoi se plani amerikan do të funksionojë “në mënyrë të shkëlqyer” dhe se zhvillimet e ardhshme do të bëhen të qarta së shpejti.
Deklaratat e tij vijnë në një moment tensionesh të larta mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa përplasjet në Lindjen e Mesme vazhdojnë dhe marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar ndjeshëm.
Retorika e fortë nga Uashingtoni sinjalizon një përshkallëzim të mundshëm të situatës, ndërsa komuniteti ndërkombëtar mbetet në pritje të hapave të radhës.









