MESAZHI/ Papa Leoni kërkon armëpushim urgjent – Lufta në Lindjen e Mesme është “një plagë për njerëzimin”

Papa Leoni ka reaguar ashpër ndaj përshkallëzimit të luftës në Lindjen e Mesme, duke e cilësuar dhunën dhe humbjet e jetëve njerëzore si një “skandal për gjithë njerëzimin”.

Gjatë lutjes së përjavshme Angelus në Sheshin e Shën Pjetrit, ai u shpreh se po ndjek me shqetësim të thellë zhvillimet në rajon, ndërsa konflikti mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit ka hyrë në javën e katërt.

Ati i Shenjtë theksoi se vuajtjet e civilëve të pafajshëm nuk mund të injorohen, duke nënvizuar se dhimbja e tyre është një plagë që prek gjithë njerëzimin.

“Ne nuk mund të heshtim përballë vuajtjeve të kaq shumë njerëzve. Viktimat e pambrojtura të këtyre konflikteve na prekin të gjithëve”, u shpreh ai.

Në mesazhin e tij, Papa bëri thirrje të fortë për ndalimin e menjëhershëm të armiqësive dhe për hapjen e një rruge drejt paqes, duke theksuar rëndësinë e lutjes dhe angazhimit për zgjidhje paqësore.