“Protesta tjetër do të jetë më e shkëlqyer” – Mbyll siparin protesta e rradhës Sali Berisha pa caktuar një datë tjetër proteste: “Për Edi Rama nuk do ketë shpëtim”

Pas përfundimit të protestës së opozitës, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, iu drejtua mbështetësve me një fjalim, ku falënderoi pjesëmarrësit për, sipas tij, qëndresën dhe mobilizimin.

Ai theksoi se protesta përkoi me përvjetorin e rrëzimit të diktaturës komuniste, duke shtuar se pjesëmarrja e qytetarëve e ka nderuar këtë datë historike. Berisha e cilësoi tubimin si një goditje ndaj asaj që ai e quan “diktatura e sotme”.

Në fjalën e tij, lideri i opozitës paralajmëroi vijimin dhe përshkallëzimin e aksionit opozitar, duke u shprehur se protesta e ardhshme do të jetë edhe më e madhe dhe më e fortë.

“Protesta tjetër do të jetë më e shkëlqyer”, deklaroi ai, ndërsa përdori tone të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, duke shtuar se “nuk do të ketë më vend ku të fshihet”.

Berisha theksoi gjithashtu se, sipas tij, reagimi qytetar do të vazhdojë në formën e një “kryengritjeje paqësore”, me synimin për të sjellë ndryshim politik në vend.