Trump kërkon kontrollin e Hormuzit – Plan për koalicion ndërkombëtar dhe dërgimin e 5 mijë marinsave

Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka bërë thirrje për krijimin e një koalicioni ndërkombëtar që do të ndihmojë në kontrollin dhe sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.

Në një deklaratë të fundit, Trump u kërkoi vendeve që varen nga nafta që kalon përmes kësaj ngushtice të marrin masa për të garantuar sigurinë e saj, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara do të jenë në krah të tyre.

“Shtetet e Bashkuara kanë goditur dhe kanë dëmtuar rëndë Iranin, ushtarakisht dhe ekonomikisht, por vendet që marrin naftë përmes Hormuzit duhet të kujdesen për këtë kalim dhe ne do të ndihmojmë shumë”, u shpreh Trump.

Sipas raportimeve, plani amerikan parashikon edhe forcimin e pranisë ushtarake në rajon, përfshirë dërgimin e rreth 5 mijë marinsave amerikanë, në kuadër të një operacioni të kufizuar për të siguruar kalimin strategjik.

Ndërkohë, marina amerikane ka urdhëruar edhe dislokimin e anijes luftarake USS Tripoli drejt Gjirit Persik, ndërsa sisteme anti-raketore janë transferuar nga Koreja e Jugut për të përforcuar mbrojtjen në rajon.

Zhvillimet vijnë në një moment tensionesh të larta mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se situata në Lindjen e Mesme mund të përshkallëzohet edhe më tej në ditët në vijim.