Kapitull i ri në marrëdhëniet me Venezuelën – SHBA pas 7 vitesh ngre sërish flamurin në ambasadën në Karakas

Flamuri i Shteteve të Bashkuara është ngritur sërish mbi ambasadën në Caracas për herë të parë pas shtatë vitesh, duke shënuar një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Venezuelës dhe Uashingtonit.

Flamuri u ngrit më 14 mars, pikërisht shtatë vjet pasi ishte ulur në vitin 2019, kur Caracas ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me SHBA-në për shkak të mosnjohjes nga Uashingtoni të rizgjedhjes së Nicolás Maduro.

E ngarkuara me punë e ambasadës amerikane, Laura Dogu, deklaroi se ngritja e flamurit simbolizon fillimin e një epoke të re në raportet mes dy vendeve.
“Një epokë e re ka filluar. Ne do të qëndrojmë me Venezuelën”, u shpreh ajo.

Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike vjen pas zhvillimeve të fundit politike në vend, përfshirë kapjen e ish-presidentit Maduro nga forcat amerikane në janar dhe nisjen e një tranzicioni politik në vend.

Ndërkohë, administrata e presidentit Donald Trump ka nisur edhe negociata me udhëheqjen e përkohshme të Venezuelës, të drejtuar nga Delcy Rodríguez, për bashkëpunim në sektorët e energjisë dhe minierave, duke hapur rrugën për investime dhe përfshirje të kompanive amerikane në industrinë e naftës së vendit.

Ky zhvillim shihet si një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, pas një periudhe të gjatë tensioni diplomatik.