Ambasadori britanik në takim me presidenten Osmani: Kosova ka nevojë urgjente për stabilitet politik

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, zhvilloi këtë të martë një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke theksuar rëndësinë e rikthimit të stabilitetit politik në vend.

Hargreaves theksoi se stabiliteti politik është thelbësor për të avancuar si agjendat e brendshme, ashtu edhe ato ndërkombëtare të Kosovës.

“Sot fola me Presidenten Osmani për nevojën urgjente që Kosova t’i kthehet stabilitetit politik për të mundësuar përparim në agjendat e brendshme dhe ndërkombëtare”, shkroi ambasadori në një postim në Facebook.

Ai shtoi se, në këtë periudhë pasigurie politike, një diskutim politik i respektueshëm dhe konstruktiv është jetik për të gjetur rrugën përpara dhe për të adresuar sfidat e vendit.