Konfirmohet sulmi kibernetik – Kuvendi i Shqipërisë: Një pjesë e të dhënave të fshira, infrastruktura kryesore nuk u prek

Kuvendi i Shqipërisë njoftoi të martën se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:00, është konstatuar një akses i paautorizuar në infrastrukturën e tij IT, që për pasojë çoi në fshirjen e disa të dhënave në llogaritë e administratës.

Autoritetet theksuan se vlerësimi paraprak teknik tregon se mund të bëhet fjalë për një sulm të sofistikuar kibernetik, me synim cenimin e disa sistemeve të brendshme dhe fshirjen e të dhënave.

“Nga analizat e para rezulton se infrastruktura kryesore e punës nuk është prekur. Faqja zyrtare e Kuvendit dhe sistemet e tjera mbeten funksionale,” thuhet në njoftim.

Menjëherë pas incidentit, janë ndërmarrë masa për izolimin e trafikut të dyshimtë dhe neutralizimin e sulmit. Ekipet teknike po punojnë për rikuperimin e të dhënave të fshira, ndërsa një skuadër e përbashkët teknike dhe hetimore ka nisur analizimin e incidentit dhe identifikimin e burimit.

Kuvendi po bashkëpunon ngushtë me institucionet e sigurisë kibernetike, përfshirë Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Drejtorinë për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit dhe Komandën Kibernetike në Ministrinë e Mbrojtjes. Përveç kësaj, po merret mbështetje teknike edhe nga partnerët ndërkombëtarë për vlerësimin e situatës dhe hapat e mëtejshëm.