Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se administrata amerikane nuk është e alarmuar nga raportet që pretendojnë se Rusia po i jep informacione Iranit mbi objektiva të mundshme amerikane në Lindjen e Mesme.
Në një intervistë për emisionin “60 Minutes” në CBS, Hegseth theksoi se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është i informuar për zhvillimet dhe se autoritetet amerikane po ndjekin nga afër çdo komunikim.
“Nuk jemi të shqetësuar. Presidenti Trump e di kush me kë po flet, sepse ne po monitorojmë gjithçka. Çdo gjë që nuk duhet të ndodhë po trajtohet dhe po trajtohet me vendosmëri”, u shpreh ai.
Raporti që nxiti reagimin erdhi nga The Washington Post, e cila, duke cituar tre burime anonime, shkruante se Rusia mund t’i ketë dhënë Iranit informacione për objektiva të mundshme amerikane në rajon, përfshirë vendndodhjen e anijeve luftarake dhe avionëve të SHBA-së.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë reagoi përmes sekretares së shtypit Caroline Levitt, e cila theksoi se këto raportime nuk ndikojnë në operacionet ushtarake amerikane.
Sipas saj, SHBA po vijon veprimet për të arritur objektivat ushtarake në Iran dhe operacionet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.









