REAGIM/ Irani kërkoi falje për sulmet ndaj vendeve fqinje – vjen prononcimi i Trump: Sulmet e SHBA dhe Izraelit e detyruan Teheranin të tërhiqet

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka reaguar pas deklaratës së presidentit iranian Masoud Pezeshkian, i cili kërkoi falje ndaj vendeve fqinje për sulmet e fundit të Iranit.

Përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, Trump deklaroi se Irani është detyruar të tërhiqet dhe të premtojë se nuk do të sulmojë më vendet e rajonit, duke e lidhur këtë zhvillim me sulmet që, sipas tij, janë kryer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli.

Sipas Trump, presioni ushtarak ndaj Iranit ka qenë vendimtar dhe ka detyruar Teheranin të ndryshojë qëndrim. Ai e cilësoi situatën si një humbje historike për Iranin në rajonin e Lindjes së Mesme.

Në postimin e tij, Trump paralajmëroi gjithashtu se Irani mund të përballet me goditje edhe më të rënda nëse vazhdon, sipas tij, me politika agresive.

Ndërkohë, më herët presidenti iranian Pezeshkian në një mesazh televiziv deklaroi se Irani nuk synon të pushtojë vendet fqinje dhe se forcat iraniane janë urdhëruar të mos i sulmojnë ato, përveç në rast se vendi sulmohet i pari.

Ai bëri thirrje për bashkëpunim rajonal për të garantuar paqe dhe stabilitet në Lindjen e Mesme, duke theksuar se Irani nuk do të pranojë kërkesën e SHBA-së për dorëzim pa kushte.