Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, është shprehur kundër përjashtimit të figurave që kanë mendime ndryshe brenda partisë, duke reaguar edhe për situatën e Ervin Salianji.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, Alizoti deklaroi se Salianjit i është bërë padrejtësi me burgosjen dhe se nuk mbështet përjashtimin e tij nga Partia Demokratike e Shqipërisë. Ai theksoi se një parti politike është një bashkim vullnetar njerëzish dhe nuk duhet t’i përkasë askujt në mënyrë ekskluzive.
Sipas tij, çdo individ që kontribuon dhe identifikohet me Partinë Demokratike duhet të ketë hapësirë për të shprehur mendimin e vet, pa u përballur me përjashtime për shkak të qëndrimeve ndryshe.
Alizoti kujtoi edhe një rast të mëparshëm, kur ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha, kishte propozuar përjashtimin e Myslim Murrizi nga partia, duke theksuar se edhe atëherë kishte qenë kundër një vendimi të tillë.
Deputeti demokrat shtoi se liria e mendimit është thelbësore për funksionimin e një partie demokratike, duke nënvizuar se shqiptarët kanë vuajtur për dekada mungesën e mendimit të lirë dhe për këtë arsye përjashtimet nuk duhet të jenë zgjidhje.









