Paris Saint-Germain pësoi një humbje të papritur në shtëpi ndaj Monacos me rezultatin 1-3, vetëm pak ditë para përballjes së rëndësishme kundër Chelseat në fazën e 1/8-ve të Ligës së Kampionëve.
Skuadra e drejtuar nga Luis Enrique nuk arriti të bindë në “Parc des Princes”, ndërsa miqtë shfrytëzuan më së miri gabimet e vendasve. Monaco kaloi në avantazh në minutën e 27-të me Akliouche, i cili përfitoi nga një gabim në dalje i Warren Zaïre-Emery.
Në pjesën e dytë, Golovin dyfishoi shifrat në minutën e 55-të, menjëherë pasi u fut në fushë si zëvendësues. PSG reagoi dhe rihapi ndeshjen në minutën e 71-të me Bradley Barcola, por gëzimi zgjati shumë pak.
Vetëm dy minuta më vonë, Folarin Balogun shënoi golin e tretë për Monacon, duke vulosur praktikisht fitoren e miqve. Në minutat e fundit PSG ushtroi presion të madh, por pa arritur të ndryshojë rezultatin, ndërsa Monaco ishte pranë golit të katërt kur Adingra goditi traversën në minutën e 88-të.
Kjo disfatë e afron PSG-në me ndjekësit në renditjen e Ligue 1, pasi Lens mund ta ngushtojë diferencën në vetëm një pikë nëse fiton ndeshjen ndaj Metz.









