Jola Hysaj ka njoftuar largimin nga Partia Demokratike pas më shumë se 20 vitesh angazhim politik. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun bëri të ditur dorëheqjen nga të gjitha funksionet dhe nga anëtarësia në parti përmes një reagimi të gjatë në rrjetet sociale.
Në mesazhin e saj, Hysaj shprehet se vendimi ka ardhur pas zhvillimeve dhe mënyrës së funksionimit brenda partisë, të cilat sipas saj nuk përputhen me parimet që duhet të karakterizojnë një forcë politike demokratike.
Ajo thekson se roli i saj si sekretare për Marrëdhëniet me Publikun është kufizuar në kompetenca reale, ndërsa përgjegjësia dhe imazhi publik i funksionit janë përdorur vazhdimisht. Sipas saj, brenda PD-së ka pasur edhe përjashtime të figurave me integritet nga përfaqësimi në këshillat bashkiakë, si dhe probleme në procesin e hartimit të listave të mbyllura për Qarkun e Durrësit.
Hysaj nënvizon se një nga shqetësimet kryesore mbetet mungesa e hapjes reale brenda partisë, duke shtuar se vendime të rëndësishme shpesh mësohen nga mediat dhe jo nga strukturat e saj.
“Pas më shumë se 20 vitesh angazhimi të pandërprerë në jetën politike dhe në shërbim të qytetarëve, kam vendosur të jap dorëheqjen nga të gjitha pozicionet që kam mbajtur dhe nga anëtarësia në Partinë Demokratike. Është një vendim i vështirë, por i domosdoshëm për të ruajtur integritetin tim personal dhe politik”, shkruan ajo.
Në fund të reagimit, Hysaj falënderon bashkëpunëtorët dhe mbështetësit për mbështetjen ndër vite, duke theksuar se angazhimi i saj në jetën publike do të vijojë edhe në të ardhmen.

Kliko linkun për postimin e plotë:👉 https://www.facebook.com/share/17ozkrLm5N/?mibextid=wwXIfr









