Presidenti rus, Vladimir Putin, ka reaguar për herë të parë pas raportimeve për vrasjen e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei, duke e cilësuar ngjarjen si një “vrasje cinike” që, sipas tij, shkel normat e moralit njerëzor dhe të drejtën ndërkombëtare.
Sipas agjencisë shtetërore ruse TASS, Putin deklaroi se Khamenei do të mbahet mend në Rusi si një “shtetar i jashtëzakonshëm”. Ky është komenti i parë zyrtar i Kremlinit pas sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit dhe zhvillimeve të mëvonshme në rajon.
Rusia dhe Irani kanë ruajtur marrëdhënie të ngushta ndër vite, përfshirë bashkëpunimin në fushën ushtarake. Në kontekstin e luftës në Ukrainë, Teherani ka ofruar mbështetje për Moskën, përfshirë furnizime me dronë dhe raketa, si dhe ndihmë në ndërtimin e kapaciteteve prodhuese për dronë.
Një ditë më parë, Ministria e Jashtme e Rusisë dënoi sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, duke i cilësuar si një hap të papërgjegjshëm dhe një akt agresioni të armatosur.









