Pas më shumë se një viti në krye të Policia e Shtetit, shkarkohet nga detyra drejtori i përgjithshëm, Ilir Proda.
Sipas burimeve, motivacioni i shkarkimit lidhet me mosgarantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës së opozitës. Po ashtu, është përmendur edhe rrezikimi i jetës së shtetasve të huaj që jetojnë në Tiranë, pasi policia deklaroi se nuk merrte përsipër garantimin e sigurisë në kushtet e dhunës.
Proda kishte qenë në qendër të akuzave të opozitës, e cila pretendonte për lidhje të dyshuara me elementë të krimit të organizuar.
Vendimi për shkarkimin vjen pak orë pas protestës së zhvilluar në kryeqytet, ku pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit. Gjatë ndërhyrjes, policia përdori gaz lotsjellës dhe mjete për shpërndarjen e turmës, ndërsa u raportuan edhe persona të lënduar.
Ndërkohë, në krye të Policisë së Shtetit është komanduar Sokol Bizhga. Ky është komandimi i dytë për të në këtë detyrë, pasi kishte mbajtur përkohësisht drejtimin e institucionit edhe pas dorëheqjes së Muhamet Rrumbullaku në fund të vitit 2024.









