Nga bignews.al
Shqiptarët nuk mungojnë në protesta nga apatia. Ata mungojnë nga lodhja. Nga zhgënjimi i përsëritur. Nga një cikël i gjatë politik ku, nga një qeveri në tjetrën, vendi ka kaluar jo nga e keqja në të mirën, por nga shiu në breshër.
Tranzicioni 35-vjeçar ka prodhuar rotacion, por jo ndryshim. Ka prodhuar premtime, por jo transformim. Dhe kur zhgënjimi bëhet kronik, reagimi nuk është më shpërthimi – është heshtja.
Partitë e mëdha janë tashmë kapituj të konsumuar. Të provuara në pushtet, të rrëzuara me votë, por kurrë të reformuara realisht. Figura të njëjta, narrativa të ricikluara, struktura të pandryshuara. Publiku nuk sheh alternativë – sheh riciklim. Kur zgjedhja perceptohet si e njëjta monedhë me dy faqe, protesta humbet kuptimin.
Edhe formacionet e reja politike nuk kanë arritur të ndezin shpresë. Shumë prej tyre perceptohen si satelitë të të vjetrave, si diga të ngritura për të thithur energjinë qytetare dhe për ta shpërndarë atë në kanale të kontrolluara. Në vend që të shfaqen si thyerje e sistemit, duken si produkte të tij.
Mosbesimi është bërë refleks kolektiv. Çdo organizim i ri shoqërohet me dyshim: a do të rezistojë lidershipi apo do të përthithet nga establishmenti politik dhe ekonomik? A do të mbrojë interesin publik apo do të negociojë me të? Frika e komprometimit ka paralizuar entuziazmin.
Në këtë vakuum përfaqësimi, një institucion ka fituar kredibilitet relativ: drejtësia e mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë. Për një pjesë të madhe të publikut, ajo shihet si e vetmja “opozitë reale” që po prek pushtetin dhe po materializon aspiratën antikorrupsion – një aspiratë e lidhur drejtpërdrejt me ëndrrën e integrimit europian.
Prandaj shumica e heshtur nuk është indiferente. Ajo është në pritje. Në pritje të një operacioni të thellë pastrimi institucional. Në pritje të një standardi të ri loje. Në pritje të një terreni politik të dezinfektuar nga pandëshkueshmëria.









