SHFAJESIMI/ Berisha për sulmin ndaj vilës së Enver Hoxhës: “Na mashtruan, na thanë se aty ishte Edi Rama”

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas incidentit gjatë protestës së opozitës, ku u hodhën molotovë dhe mjete piroteknike në drejtim të vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha, ndërsa brenda ndodheshin artistë.

Në fjalën e tij përpara mbështetësve, Berisha u shpreh se protestuesit janë mashtruar nga “agjentë të infiltruar”, të cilët, sipas tij, u kanë thënë se në atë godinë ndodhej kryeministri Edi Rama.

Sipas Berishës, reagimi i turmës ka qenë pasojë e revoltës ndaj Ramës dhe jo ndaj ndërtesës në vetvete. Ai deklaroi se kryeministri nuk banon në atë vilë, duke pretenduar se informacioni i dhënë protestuesve ka qenë i rremë dhe me qëllim provokimi.

Deklaratat e tij vijnë në një klimë të tensionuar politike, pas përplasjeve mes protestuesve dhe policisë në disa zona të kryeqytetit.