Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka publikuar një deklaratë të fortë në rrjetet sociale, ku pretendon se Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, është vrarë gjatë operacionit të fundit ushtarak.
Në mesazhin e tij, Trump e cilëson Khamenein si “një nga njerëzit më të këqij në histori” dhe thekson se ky zhvillim përbën drejtësi jo vetëm për popullin iranian, por edhe për amerikanët dhe qytetarë të tjerë në mbarë botën që, sipas tij, janë viktima të regjimit iranian.
Ai deklaron se operacioni është realizuar falë sistemeve të avancuara të inteligjencës dhe gjurmimit, në bashkëpunim të ngushtë me Izraelin. Sipas Trump, shumë pjesëtarë të Gardës Revolucionare Islamike dhe forcave të sigurisë iraniane nuk duan më të luftojnë dhe po kërkojnë imunitet.
Presidenti amerikan paralajmëron se bombardimet do të vazhdojnë “gjatë gjithë javës ose për aq kohë sa të jetë e nevojshme” për të arritur, siç shprehet ai, objektivin e “paqes në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën”.
Deri në këto momente, nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet iraniane lidhur me fatin e Khameneit, ndërsa situata në rajon mbetet jashtëzakonisht e tensionuar.









