Një aksident ajror me pasoja të rënda ka tronditur Bolivinë. Të paktën 20 persona humbën jetën dhe rreth 30 të tjerë mbetën të plagosur pasi një avion transporti C-130 Hercules i Forcave Ajrore Boliviane doli nga pista gjatë uljes në aeroportin e El Alto dhe u përplas me automjete në një rrugë pranë zonës së aterrimit.
Sipas autoriteteve policore, shumica e viktimave ndodheshin në automjetet që u goditën nga avioni – makina private, minibusë dhe një kamion me rimorkio – në momentin kur mjeti ajror humbi kontrollin pas prekjes së pistës.
Drejtori i policisë, Rene Tambo, deklaroi në një konferencë për shtyp se numri i viktimave mund të rritet, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë operacionet në terren.
Pamjet e transmetuara nga mediat vendase tregojnë avionin Hercules me dëmtime të mëdha strukturore, me pjesën më të madhe të trupit të tij të shkatërruar.
Sipas raportimeve paraprake, avioni dyshohet se transportonte valutë të huaj. Megjithatë, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil (DGAC), José Antonio Fanola, sqaroi se mjeti nuk u rrëzua në ajër, por doli nga pista gjatë uljes, ndërsa rrethanat e sakta të incidentit mbeten ende nën hetim.
Autoritetet kanë nisur një hetim të plotë për të zbardhur shkaqet e aksidentit që ka lënë pas një bilanc tragjik.









